
Hetimet për atentatin mafioz në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë efektivi i AMP-së Muçi Shaljani, po vijojnë me intensitet të lartë. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se Policia e Tiranës i ka kërkuar zyrtarisht autoriteteve spanjolle informacion mbi lëvizjet e dy shqiptarëve gjatë qëndrimit të tyre 4-ditor në Barcelonë.
Sipas informacioneve paraprake, nuk ka ende një përgjigje nga pala spanjolle, ndërsa në vend vijojnë kontrolle të shtuara në disa zona problematike si Tiranë, Kamëz, Nikël dhe Fushë-Krujë. Deri tani janë shoqëruar 15 persona, por pa rezultate konkrete për identifikimin e autorëve.
Kontrollet janë përqendruar kryesisht në godina të braktisura, ndërsa pista kryesore mbetet ajo e një ekzekutimi profesional të planifikuar në detaje.
Detajet e ekspertizës mjeko-ligjore
Ekspertiza e Morgut të Tiranës ka konfirmuar se:
Gilmando Dani është goditur me 20 plumba, ndërsa në vendngjarje janë gjetur mbi 80 gëzhoja.
Muçi Shaljani, shoferi dhe njëkohësisht punonjës i AMP-së, ka marrë 10 plumba në trup dhe 1 në kokë. Ai ndodhet i intubuar në gjendje shumë të rëndë.
Makina e atentatorëve, e vjedhur në Greqi
Nga verifikimet e kryera rezulton se automjeti i përdorur nga autorët:
është vjedhur në Greqi më 22 tetor 2023,
ndërsa targat janë vjedhur po në Greqi, në vitin 2024, dhe ishin të mbivendosura.
Grupi hetimor po punon me disa pista paralele, përfshirë lidhjet e mundshme të viktimës dhe itinerarin e dyshuar të atentatorëve, ndërsa monitorohen të gjitha hyrje-daljet e mundshme nga zona e Niklës në drejtim të Rinasit.







