
Pa receta e pa mjekë, shumë kafshë dinë të shërohen vetë duke përdorur bimë, dhe, në disa raste, edhe tokë apo insekte. Ky fenomen quhet zoofarmacognozi, nga greqishtja “zoon” (kafshë), “pharmakon” (ilaç) dhe “gnosis” (njohuri). Është një fushë e re kërkimi që zbulon se instinkti natyror i kafshëve për t’u vetëkuruar është shumë më i thellë nga sa është menduar deri më sot.
Në librin e ri “Medici per natura” të biologut Jaap de Roode, paraqiten shembuj mahnitës që tregojnë se kafshët përdorin natyrën si farmaci. Gorillat, për shembull, gëlltisin gjethe me sipërfaqe të ashpër për të nxjerrë parazitët nga organizmi, ndërsa papagajt hanë baltë për të neutralizuar toksinat në trup.
Edhe merimangat malore përdorin rrëshirë pishe në folenë e tyre për të parandaluar sëmundjet, pasi rrëshira ka përbërës me efekt antibakterial e antifungal. Zogjtë urbanë, harabelët, përdorin fibra nga filtrat e cigareve për të zmbrapsur parazitët, pasi nikotina vepron si repelent natyral.

Ndërsa delet e infektuara me parazitë rrisin vetë konsumin e ushqimeve që përmbajnë taninë — substancë që ndihmon në eliminimin e krimbave të zorrëve dhe forcon sistemin imunitar. Kur shërohen, ndalojnë vetë konsumimin e tyre, duke treguar një aftësi të habitshme vetëkontrolli biologjik.
Këto shembuj tregojnë se natyra ka qenë gjithmonë “mjekja” e parë e çdo gjallese, dhe se kafshët ruajnë një dije të lashtë që njerëzit e kanë harruar. Zoofarmacognozia sfidon idenë tradicionale të inteligjencës dhe kujdesit mjekësor, duke na kujtuar se “farmacia” ka qenë gjithmonë aty — në gjethe, në rrëshira dhe në tokë.




