
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim me kryetarët e degëve të PD-së, e ka cilësuar procesin e fundit zgjedhor si një “farsë” dhe “shfaqje të pabarazisë totale” në garën politike.
Berisha theksoi se vendi po përballet me një “pushtim të egër të brendshëm” dhe se rruga e vetme për ndryshim është qëndresa dhe protesta paqësore, duke iu bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve që “të ngrihen si kombet e shtypura kundër diktaturave”.
“Dua të jetë shumë e qartë se, përveç protestës, kryengritjes paqësore, asnjë mjet tjetër nuk do mund të shpëtojë Shqipërinë nga ky pushtim i egër i brendshëm. Në disa aspekte, ky regjim tejkalon çdo lloj regjimi që kanë njohur shqiptarët në histori,” tha Berisha.
Kreu i PD-së solli edhe të dhëna alarmante për emigracionin dhe rënien demografike, duke theksuar se Shqipëria po përjeton një krizë të thellë njerëzore.
“Një milion shqiptarë janë larguar vetëm në hapësirën europiane nga 2014 deri në 2023. Shqipëria ka sot tregues të lindshmërisë që kishte 100 vite më parë. Që nga 2018 e këtej, vdekjet janë dyfishuar krahasuar me lindjet,” deklaroi ai.
Berisha akuzoi qeverinë për manipulime, dhunë dhe përdorim masiv të burimeve shtetërore gjatë fushatës elektorale, ndërsa u shpreh se opozita do të vazhdojë të mbajë qëndrimin e saj në çdo front institucional dhe qytetar.
“Shqiptarët nga ne presin përgjigje. Megjithë presionet, dhunën, patronazhistët dhe blerjen e votës, ata prapë qëndruan. Ekzistojnë qindra mijëra shqiptarë idealistë që ne duhet t’i thërrasim për qëndresë,” shtoi ai.
Në fund të fjalës së tij, Berisha sulmoi mënyrën si po funksionon parlamenti, duke e cilësuar si “institucion të asgjësuar nga mazhoranca”.
“Në 10 seanca, vetëm një ditë është lejuar debat. Nuk ka ndodhur kurrë më parë. Ky parlament është i votave të vjedhura, i kthyer në turp kombëtar,” tha ai.
Takimi u mbyll me zotimin e drejtuesve të degëve të PD-së për vazhdimin e aksionit opozitar dhe përgatitjen e protestave të reja mbarëkombëtare.




