
Një atentat me armë zjarri ka tronditur këtë të martë zonën e Rinasit, ku ka mbetur i vrarë Gilmando Dani, i njohur si një nga anëtarët e grupit të Emiljano Shullazit, ndërsa një tjetër person është plagosur rëndë.

Sipas burimeve të para hetimore, autorët — ende të paidentifikuar — kanë qëlluar me breshëri plumbash ndaj automjetit të viktimës, nga një makinë tip Toyota me targa greke.Të dhënat paraprake sugjerojnë se atentati është kryer nga dy automjete, të cilat janë larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës, duke lënë pas skenën e ngjarjes së përgjakshme.

Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje, ku po bëhet krehja e zonës dhe verifikimi i kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët dhe itinerarin e tyre pas krimit.

Paraprakisht, po hetohet pista e larjes së hesapeve mes grupeve kriminale, ndërsa viktima, Gilmando Dani, njihej si person me të shkuar penale dhe i lidhur me strukturat e grupit të Shullazit, i dënuar për veprimtari kriminale dhe gjobëvënie.
Rinas/Informacion paraprak
Rreth orës 14:20, te rrethrrotullimi në afërsi të aeroportit, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri drejt automjetit me të cilin po lëviznin shtetasit M. Sh., rreth 40 vjeç dhe G. D., rreth 47 vjeç.
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi G. D. dhe është plagosur shtetasi M. Sh., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetsore.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë punën për kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.







