Në kuadër të masave për përmirësimin e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e mjedisit, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bën të ditur, se gjatë periudhës janar- tetor të vitit 2025, janë larguar përfundimisht nga qarkullimi në të gjithë vendin 7.071 mjete.
Këto mjete janë çregjistruar përfundimisht, pasi nuk plotësonin standardet e sigurisë në qarkullim; nuk përmbushnin kushtet teknike të detyrueshme dhe paraqisnin shkallë të lartë amortizimi dhe konsumimi.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, mosha mesatare e flotës së çregjistruar është rreth 22 vjeç. Ky proces, është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të transportit rrugor në vend, pasi ndikon në sigurinë në rrugë, si dhe ka ndikim pozitiv në mjedis, duke reduktuar ndjeshëm ndotjen që shkaktohet nga automjetet e vjetra.
Ndërkohë, në të njëjtën periudhë është regjistruar një rritje prej 24% të numrit të testimeve teknike krahasuar me vitin 2023. Gjatë 10 muajve të parë të vitit 2025 janë kryer gjithsej 268.999 testime teknike për mjetet në qarkullim.
Nga totali i mjeteve të testuara, automjetet personale përbëjnë shumicën me 86.2% , të ndjekura nga kamionët me 6.2 %, motomjetet me 4.9%, autobusët me 1.8%, ndërsa rimorkiot dhe mjetet e punës zënë përkatësisht 0.5 dhe 0.4 % të testimeve.
Kjo rritje tregon një ndërgjegjësim më të lartë të drejtuesve të mjeteve, si dhe një përmirësim në kontrollin teknik dhe monitorimin e automjeteve që qarkullojnë në rrugët shqiptare./Scan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu