
Këngëtarja Kroni Pula e cila do të marrë pjesë në “Junior Eurovision” më 13 dhjetor, ka interpretuar këngën e saj “Fruta-Perime”, nga stenda e RTSH-së e vendosur në Panarin Klik Ekspo Group.
Pas këngës, Kroni shprehu edhe emocionet e saj për emisionin “Në Kohë Reale”. I pyetur nga moderatori Flori Gjini nëse është gati të ngjitet në skenën e Eurovizionit për fëmijë, Kroni u përgjigj se ajo “ka lindur” për një gjë të tillë.
Kroni tregoi edhe miqësitë e reja që ka krijuar me përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse në “Junior Eurovision”.
“Unë kam krijuar miqësi me Spanjën dhe me Ukrainën. Këto janë dy miqtë e mi më të mirë. Më pëlqejnë shumë. Më pëlqejnë të gjithë artistët, kanë këngë të jashtëzakonshme”, tha Kroni Pula për mikrofonin e RTSH-së.
E pyetur nëse ka një nga ato ritualet që bëjnë këngëtarët e mëdhenj, Kroni u përgjigj se ajo i thotë vetes “forca! Bëj qejf, s’ka gjë më të mirë se sa të bësh qejf”.
Sa i përket artistit të preferuar, Kroni tha se ajo ka “Damiano Davidin, si grup Maneskinin, nga Shqipëria preferoj Elvana Gjatën, Aurela Gaçen dhe Irma Libohovën”. Ndërsa shtoi se do të kishte dëshirë të realizonte një bashkëpunim me një prej këtyre këngëtareve.
/rtsh.al/




