
Rritja e të ardhurave dhe mbrojtja e fuqisë blerëse do të nisë me pagat.
Projektbuxheti i paraqitur në Kuvend parashikon që nga 1 janari 2026, administrata publike do të marrë një rritje prej 2.5%, pjesë e politikës së indeksimit të rritjes së çmimeve, ndërsa paga minimale e rritur këtë vit do të vijojë të ndikojë tatimin vendor dhe skemën e kontributeve.
Ndërkohë, paketa fiskale që shoqëron projektbuxhetin prek në mënyrë direkte fermerët, familjet, biznesin dhe tregun e pasurive.
Kështu, fermerët do të marrin një shtysë të drejtpërdrejtë, pasi kompensimi i TVSH-së rritet në 10% të vlerës së faturave të shitjes, kjo për të nxitur formalizimin dhe rritur konkurrueshmërinë e prodhimit vendas.
Në kah të kundërt, sektori i teknologjisë largohet nga skema lehtësuese. Nga 5%, tatim-fitimi për IT kthehet në 15%, ndërsa qeveria synon të unifikojë trajtimin fiskal mes sektorëve.
Akciza rritet me indeksim prej 1.5% për mallra si birra, nafta, kafe, me përjashtim të cigareve, ku vijon plani i rritjes progresive. Kjo lëvizje pritet të sjellë të ardhura shtesë për buxhetin dhe përputhje me politikat europiane.
Në tregun e banesave, tatimi mbi të ardhurat nga qiratë rritet, ndërsa familjet do të përfitojnë nga një masë sociale e drejtpërdrejtë. Më konkretisht, nga tatimi mbi të ardhurat personale zbriten 48 mijë lekë për çdo fëmijë nën 18 vjeç, duke ulur barrën për prindërit.
Paketa shton edhe një element mjedisor. Taksa e karbonit rritet nga 3 lekë në 4.5 lekë për kilogram, me synim uljen e ndotjes dhe harmonizimin me standardet e BE-së.
Ndërkohë, qeveria hap rrugën për mbylljen e detyrimeve të vjetra me shtetin: faljen e gjobave dhe interesave në sistemin e-tax dhe në doganë.
Rivlerësimi i pronave vijon me normë 5% të vlerës së tregut, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të rrisin vlerën zyrtare të pasurisë së tyre.
Tv Klan







