Situata me Ethet e Nilit Perëndimor po përkeqësohet në Maqedoninë e Veriut, ku numri i rasteve të raportuara ka arritur në 38, ndërsa katër persona kanë humbur jetën.

Sipas autoriteteve shëndetësore, 37 nga të prekurit janë nga rajoni i Shkupit dhe një nga Velesi. Pacientët po trajtohen në Klinikën Infektive në Shkup. Nga rastet e raportuara, 36 paraqesin formën neuroinvazive të sëmundjes, ndërsa dy trajtohen si raste të dyshuara.

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, bëri të ditur se vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 12 raste të reja dhe tre viktima, duke e çuar në katër bilancin e përgjithshëm të vdekjeve.

Për shkak të përhapjes së virusit është shpallur epidemi në komunat Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom dhe Butel. Autoritetet kanë intensifikuar dezinsektimin nga ajri dhe toka në zonat më të prekura për të luftuar mushkonjat, të cilat transmetojnë virusin.

Paralelisht ka nisur një fushatë informimi, me rreth 38.500 mesazhe SMS për banorët e zonave të prekura. Qytetarëve u kërkohet të eliminojnë ujërat e ndenjura, të përdorin rrjeta mbrojtëse dhe repelentë, si dhe të shmangin qëndrimin jashtë në agim dhe muzg, kur aktiviteti i mushkonjave është më i lartë.

Burimi: KOHA/TV21

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu