Ndalim i duhanit mbi bazë gjenerate. Këtë e kishte vendosur më parë Jacinda Ardern në Zelandën e Re, por masa, e futur në vitin 2022, u shfuqizua vetëm një vit më pas nga qeveria aktuale e Christopher Luxon. A do të ketë më shumë sukses kjo nismë në Maldive? Pyetje e drejtë, pasi që nga e shtuna e datës 1 nëntor, edhe në këtë parajsë tropikale të Oqeanit Indian ka hyrë në fuqi një ndalim i ngjashëm, i cili synon të mbrojë brezat më të rinj.

Ligji, i miratuar në maj nga presidenti Mohamed Muizzu, ndalon të gjithë të lindurit pas 1 janarit 2007, përfshirë të huajt, të blejnë dhe përdorin produkte me bazë duhani në arkipelag. Ndërkohë, cigaret elektronike ishin ndaluar që në dhjetor.

Gjoba të kripura

“Mbrotja e shëndetit publik dhe promovimi i një gjenerate pa duhan”, këto janë qëllimet e ligjit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Maldiveve. Një hap i konsideruar i domosdoshëm, pasi OBSH ka identifikuar se mes moshave 13–15 vjeç në vend, përqindja e përdoruesve të rregullt të duhanit është pothuajse dyfish krahasuar me grupmoshën 15–69 vjeç: 45.7% kundrejt 25.7%.

Edhe pse popullsia e Maldiveve është vetëm rreth gjysmë milioni banorë, fakti që ligji zbatohet edhe për turistët e bën atë të rëndësishëm në nivel ndërkombëtar. Gjobat janë të larta, veçanërisht për shitësit që nuk e respektojnë ligjin: 50 mijë rufie, ekuivalente me mbi 2 mijë e 800 euro.

Ngërç për të njëjtën nismë në Londër

Mbetet për t’u parë nëse një masë e ngjashme do të miratohet edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku një propozim ligjor i ngjashëm është ende në diskutim parlamentar, pasi u miratua në leximin e parë në prill 2024. Lobistët e industrisë po punojnë për ta penguar këtë nismë, ndërkohë që në botë, sipas OBSH-së, mbi 37 milionë adoleshentë mes moshave 13–15 vjeç konsumojnë duhan.

Një analizë e porositur së fundmi nga University College London ka treguar se duhani është edhe më i dëmshëm se sa mendohej: jo më 11, por 20 minuta jetë humb çdo duhanpirës për çdo cigare të konsumuar. Rezultati: ky zakon i përhapur mbetet shkaku kryesor i sëmundjeve dhe paaftësive të shmangshme në nivel global, me pasoja të pashmangshme edhe për financat publike, jo vetëm në Maldive./ Corriere Della Sera

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu