
Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Posta e Rreme”, duke goditur një grup të huaj që mashtronte qytetarët shqiptarë përmes faqeve të falsifikuara të Postës Shqiptare.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan dy shtetas kinezë, C. F., 51 vjeç, dhe H. Y., 45 vjeç, të cilët kishin hyrë në territorin shqiptar më 27 tetor 2025. Hetimet zbuluan se ata kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare, me qëllim për të përfituar të dhëna personale dhe bankare të qytetarëve.
Gjatë kontrollit në ambientin ku qëndronin, u sekuestruan 17 telefona celularë, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë si dhe shuma parash në valuta të ndryshme.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik, në bashkëpunim me Drejtorinë Operacionale të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Materialet procedurale iu referuan për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhëna kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.
Policia apelon qytetarët të tregojnë kujdes ndaj mesazheve apo faqeve që kërkojnë të dhëna personale ose bankare, duke theksuar:
Mos klikoni në linke të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, email-eve apo rrjeteve sociale;
Mos jepni të dhëna bankare apo PIN në faqe jozyrtare;
Kontrolloni gjithmonë adresën e saktë të faqes përpara çdo veprimi online.
Policia i bën thirrje çdo qytetari që mund të ketë rënë pre e këtyre mashtrimeve të paraqitet në Drejtorinë e Hetimit të Krimit Kibernetik ose të raportojë menjëherë rastin për të marrë ndihmën e nevojshme.
Policia e Shtetit thekson angazhimin për mbrojtjen e qytetarëve nga krimet kibernetike dhe për rritjen e ndërgjegjësimit mbi sigurinë digjitale.







