
Gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me 3 plumba për vdekje në sallën e gjyqit, reagon delegacioni i BE-së: Ne e dënojmë fuqimisht këtë akt kriminal! Shqipëria të rrisë sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka reaguar për ngjarjen e rëndë të vrasjes së gjyqtarit të Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja.
Në reagimin e saj, EUDEL shprehet se është e tronditur nga akti i dhunës që rezultoi në vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjen e dy qytetarëve shqiptarë.
Shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes së gjyqtarit Kalaja.
Kjo tragjedi nxjerr në pah nevojën akute që Shqipëria të rrisë sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar sigurinë në sallat e gjyqit.
BE-ja qëndron e vendosur në mbështetjen e saj për konsolidimin e reformës në drejtësi dhe për ruajtjen e sundimit të ligjit në vend”, thuhet në reagimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian.
Në një deklaratë publike, edhe SPAK e cilëson këtë akt si një vrasje të paprecedentë, duke dënuar me forcë krimin e rëndë që ka tronditur institucionet e drejtësisë dhe opinionin publik.
“Prokuroria e Posaçme dënon me forcë vrasjen e paprecedentë të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë. I shprehim ngushëllimet tona familjes së gjyqtarit Kalaja, të afërmve dhe kolegëve të tij në këtë moment të dhimbshëm,” thuhet në reagim.
SPAK gjithashtu shpreh solidaritet të plotë me gjithë punonjësit e sistemit të drejtësisë, përfshirë gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët, të cilët, siç thuhet në deklaratë, “përballen çdo ditë me sfida të mëdha në kryerjen e detyrës.”
Ngjarja konsiderohet nga Prokuroria e Posaçme si një thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në institucionet e drejtësisë, përfshirë forcimin e masave mbrojtëse për të gjithë aktorët e përfshirë në sistemin gjyqësor.
“Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë, si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme,” përfundon deklarata.
© BalkanWeb