Shqipëria ka hapur sot edhe 4 grupkapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke e çuar në 28 numrin e kapitujve të çelur në vetëm 11 muaj.

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, në një deklaratë për mediat nga Brukseli, vlerësoi ritmin mbresëlënës të ecurisë së Shqipërisë dhe nënvizoi se Bashkimi Europian mbështet vizionin e kryeministrit Edi Rama për mbylljen e procesit negociator brenda vitit 2027.

“Sfida më e madhe nuk është hapja e kapitujve, por mbyllja e tyre dhe realizimi i reformave. Shqipëria duhet të japë rezultate konkrete dhe të sjellë gjithçka të nevojshme për të përmbyllur këtë proces. Vizioni i kryeministrit dhe i ekipit tuaj është që në fund të 2027 të mbyllen negociatat. E mbështesim këtë vizion dhe do të japim të gjithë energjinë dhe fuqinë njerëzore nga Brukseli për ta arritur këtë objektiv,” – u shpreh Kos.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministrja e Çështjeve Europiane të Danimarkës, Marie Bjerre, e cila theksoi se vendimi për hapjen e shpejtë të kapitujve dëshmon kapacitetet e forta administrative të Shqipërisë.

“Kur çelim grupkapitujt, e bëjmë sepse Shqipëria është gati. Ju nuk keni vetëm vikingët nga ana juaj, por të gjithë BE-në. Një e ardhme e përbashkët me Shqipërinë është e rëndësishme për të gjithë ne,” – tha Bjerre.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama e cilësoi BE-në një “bekim për vendet e rajonit” dhe theksoi se Shqipëria duhet të vazhdojë me përkushtim e përulësi për të përmbushur sfidat, veçanërisht në fushën e mjedisit.

“BE është bekim për vendet si i yni. Na jep mjetet për të rishpikur veten si shtet dhe komb. Dy vitet në vijim do të jenë vendimtare për të përmbushur standardet dhe për ta afruar Shqipërinë gjithmonë e më pranë BE-së,” – tha Rama.

Hapja e katër grupkapitujve të rinj shënon një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu