Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas një vendimi gjyqësor që riktheu në detyrë ish-drejtorin rajonal të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në Vlorë, i cili më herët ishte shkarkuar dhe dërguar në Prokurori për ndërtim pa leje dhe mashtrim me dokumente zyrtare.

Sipas Ramës, gjyqtari Boshku ka vendosur të kthejë në detyrë një “shkelës brutal të ligjit dhe mashtrues të kapur me presh në duar”, duke e cilësuar rastin “ububushëm”.

Kreu i qeverisë shpjegoi se ish-drejtori i AMP-së kishte marrë pjesë në një ndërtim pa leje në Ksamil dhe më pas kishte paraqitur dokumente të rreme, duke pretenduar se ndërtimi ishte kryer në vitin 2018. Por, sipas Ramës, fotot satelitore vërtetuan se objekti ishte ndërtuar pas vitit 2020, duke e bërë të pamundur legalizimin e tij.

“Birboja kishte ndërtuar pa leje duke qenë edhe drejtor i një institucioni ligjzbatues, gjë që çoi në largimin e tij nga AMP-ja dhe dorëzimin e rastit në Prokurorinë e Sarandës. Por ndërkohë që shteti kërkon ndëshkimin ligjor të tij, drejtësia në Tiranë kërkon ta rikthejë në detyrë”, tha Rama.

Kryeministri njoftoi se Ministria e Drejtësisë do t’ia përcjellë rastin organeve të vetëqeverisjes së gjyqësorit (KLGJ dhe ILD), ndërsa paralajmëroi se “gjykatësit që përdorin pavarësinë e drejtësisë si pavarësi nga vetë drejtësia, duke dhënë vendime të paligjshme në dëm të interesit publik, do të përballen me keqbërjet e tyre jo vetëm në institucionet e drejtësisë, por edhe para opinionit publik”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu