26 Gusht 2025 – Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur në krye të tij Dimal Bashën, një politikan me profil të spikatur akademik dhe profesional, i njohur për angazhimin në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit dhe luftën kundër korrupsionit.

I lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe banues në Ferizaj, Basha ka ndërtuar një karrierë të gjatë në studime dhe shërbim publik. Ai ka diplomuar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, në drejtimin E Drejta Penale Ndërkombëtare, me vlerësimin më të lartë. Më pas, përfundoi studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në Konflikt dhe Siguri, në The New School University në SHBA.

Përvoja e tij përfshin punën në zyrën e ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, si dhe angazhimin si Analist i të Dhënave Kualitative në Gjykatën Federale të SHBA-së. Basha ka ushtruar gjithashtu role menaxheriale në Angli dhe SHBA, duke e bërë profilin e tij ndërkombëtar edhe më të plotë.

Në politikë, ai ka shërbyer për dy mandate si deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, duke qenë pjesë e disa prej komisioneve më të rëndësishme: Punë të Jashtme, Legjislacion, Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Stabilizim-Asociim.

Si Kryetar i ri i Kuvendit, Basha pritet të vazhdojë angazhimin për përmirësimin e legjislacionit, forcimin e institucioneve dhe rritjen e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu