
Zjarri në pyllin me pisha në zonën e hidrovorit në fshatin Akërni në Vlorë vazhdon të jetë aktiv. Prej orës 05:00, forcat zjarrfikëse dhe të FA-së janë mobilizuar sërish për shuarjen e flakëve.
Një ditë më parë, situata u paraqit kritike pasi për shkak të erës së fortë flakët u përhapën në sipërfaqe të mëdha. Edhe terreni e vështirësoi ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse.
Në vendngjarje shkuan 4 helikopterë, 2 të Forcave të Armatosura dhe dy të tjerët të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, deklaroi se zjarri në Pishë-Poro ka përfshirë një gjatësi prej 2-3 km dhe dyshohet se është i qëllimshëm.
Një zjarr ka rënë gjatë natës në Bogovë në Skrapar. Zjarri nisi në pjesën e sipërme të luginës dhe është përhapur me shpejtësi, i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta.
Në zonë shkuan forcat zjarrëfikëse të Beratit, Poliçanit dhe Skraparit, forca të shumta policie dhe forca ushtarake nga Reparti i Ndërhyrjes së Shpejtë në Poshnje, të cilët bënë të mundur lokalizimin e flakëve dhe vënien e tyre nën kontroll./shqiptarja