
Ukraina u godit gjatë natës nga një valë e re masive dronësh dhe raketash, në sulmin më të rëndë të regjistruar në javët e fundit. Forcat ajrore ukrainase thanë se Rusia lëshoi 574 dronë dhe 40 raketa, nga të cilat u rrëzuan 577 mjete ajrore.
Një person humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën në rajonin e Lvivit, ku u dëmtuan mbi 20 godina civile, përfshirë banesa dhe një kopsht fëmijësh. Në rajonin jugperëndimor të Transkarpatisë, 15 persona u plagosën kur raketat goditën një fabrikë amerikane elektronike në qytetin Mukachevo, pranë kufirit me Hungarinë dhe Sllovakinë.
Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha tha se Rusia përdori raketa hipersonike, balistike dhe lundrimi. Ai e quajti këtë një provë se sa kritike janë përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës.
Sulmi ndodhi në një kohë kur diplomacia ndërkombëtare është intensifikuar. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu gatishmërinë për t’u takuar me Vladimir Putinin në “neutral Europe”, duke përmendur Zvicrën apo Austrinë si opsione, ndërsa hodhi poshtë Budapestin për shkak të lidhjeve të ngushta të kryeministrit Viktor Orban me Moskën.
Këto zhvillime pasuan takimin e presidentit amerikan Donald Trump me Vladimir Putinin në Alaska dhe më pas me Zelenskyn dhe liderë evropianë në Shtëpinë e Bardhë. Trump fillimisht kishte propozuar një takim trepalësh, por më pas u shpreh se “do të ishte më mirë nëse ata takohen pa mua”.
Ndërkohë, Kievi raportoi se forcat e tij kishin goditur një rafineri nafte në rajonin rus të Rostovit, një depo dronësh në qytetin e pushtuar të Donetskut dhe objekte të tjera ushtarake.
Luftimet e përgjakshme vazhdojnë në vijën e frontit, megjithëse ndryshimet territoriale mbeten të vogla. Në terren po vërehet grumbullimi i trupave ruse në rajonin e Zaporizhias.
Ukraina i bëri sërish thirrje aleatëve për sisteme shtesë mbrojtjeje ajrore, ndërsa sulmet ajrore ruse po shtrihen gjithnjë e më shumë në pjesët perëndimore të vendit.