
Policia ka arrestuar shoferët e dy prej automjeteve të përfshirë në aksidentin e trefishtë ditën e djeshme (18 Gusht) në aksin Shkodër-Lezhë ku humbi jetën 47-vjeçari Altin Luli dhe mbetën të plagosur disa persona.
Blutë vendosën në pranga në kushte spitalore drejtuesi i kamionit Hilmi Shkrelaj, 63 vjeç, dhe shoferja e një prej makinave të aksidentuara Anxhela Hasaj, 22 vjeçe, të dy banues në Shkodër.
Dy shoferët akuzohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Aktualisht po marrin mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër, pasi kanë pësuar dëmtime nga aksidenti.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në aksin rrugor “Shkodër- Lezhë”, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, shtetasit H. Sh., 63 vjeç, dhe A. H., 22 vjeçe, të dy banues në Shkodër, të cilët aktualisht po marrin mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër, pasi kanë pësuar dëmtime nga aksidenti”, informuan blutë.
Aksidenti ndodhi rreth orës 12:10, ku kamioni me drejtues Hilmi Shkrelaj u përplas me makinën që drejtohej nga viktima, Altin Luli dhe më pas me shofere 22-vjeçaren./panorama