
Ylber Ramadani po bëhet gati të largohet nga Leçe. Për këtë insistojë mediat pranë klubit të Serisë A, të cilat bëjnë të ditur se futbollisti po tundohet nga ofertat e sheikëve pasi disa klube arabe janë në kontakt me të.
Drejtori i portalit “PianetaLecce”, Françesko Romano, ka insistuar se ka zëra konkret për largimin e mesfushorit. “Ramadani ka shfaqur interes që të ndërrojë ajër”, tha ai në një emision kushtuar klubit verdhekuq, teka portali i tij më pas ka shpjeguar se si është situata.
Sipas të njëjtave burime, futbollisti shqiptar është në kontakt të vazhdueshëm me klubet arabe, të cilat i kanë bërë oferta të rëndësishme ekonomike. Por ndërkohë, është Leçe që duhet të vendosë dhe ajo i ka caktuar një shifër të lartë kartonit të tij. Leçe kërkon rreth 10 milionë euro, duke shpresuar që të marrë maksimumin nga sheikët e klubeve arabe të cilët zakonisht nuk kursehen në merkato për lojtarët që piketojnë./Panorama