
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 25 vatra zjarri në disa bashki të vendit, ku 4 prej tyre mbeten ende aktive, ndërsa pjesa tjetër është neutralizuar nga forcat zjarrfikëse dhe strukturat mbështetëse.
Zjarret janë regjistruar në bashkitë: Finiq, Vlorë, Selenicë, Elbasan, Prrenjas, Poliçan, Bulqizë, Dibër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Tiranë, Kamëz, Vorë, Durrës, Kurbin, Pogradec dhe Korçë.
Vatrat aktive:
- “Sotiran”, ndërmjet Tragjas dhe Dukatit (Vlorë) – Zjarri është përhapur në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në zonë malore. Aktualisht janë në operim 8 forca zjarrfikëse dhe 7 punonjës të Shërbimit Pyjor. Në ndihmë dje u angazhua helikopteri “Cougar” i Forcës Ajrore.
- Fshati Zgërbonjë, Vërtop (Poliçan) – Vatra është nën monitorim, por nuk paraqet rrezik për përhapje.
- “Livadhi i Peladhisë”, Zerqan (Bulqizë) – Vijon puna në një terren të vështirë me pisha dhe dëllinja. Përdoren mjete të kalueshmërisë së lartë për ndërhyrje.
- “Liqeni i Luleve”, Parku Kombëtar Lurë (Dibër) – Pavarësisht përpjekjeve intensive gjatë natës, zjarri nuk u izolua. Në terren janë angazhuar 43 forca nga struktura të ndryshme dhe 25 vullnetarë. Ndërhyrja mbështetet edhe nga ajri me helikopter të Forcës Ajrore.
Dëmet dhe përfshirja e banesave
Në dy raste, zjarret janë përhapur në banesa dhe në një godinë biznesi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Përgjithësisht, janë djegur rreth 5 hektarë me bimësi të ndryshme.
Forcat e angazhuara
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar:
- 30 automjete zjarrfikëse
- 351 forca operacionale
- Forcat e Armatosura me 59 efektivë, 1 helikopter, 5 automjete zjarrfikëse, 1 pompë thithëse, 2 mjete vetëshkarkuese dhe 1 traktor me zinxhirë.
Paralajmërimi për rrezik të lartë
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rreziku i lartë për zjarre pothuajse në të gjitha qarqet. Parashikohen reshje të dobëta deri mesatare në zonën e Shkodrës, në formë shtrëngatash.
Thirrje për kujdes
Sistemi i Mbrojtjes Civile mbetet në gatishmëri të plotë, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr në këto kushte të rrezikshme atmosferike.