
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar paraditen e sotme në aksin e vjetër Fushë Krujë–Borizanë, ku si pasojë ka humbur jetën një grua e moshuar dhe janë plagosur tre persona të tjerë.
Ngjarja ka ndodhur pas përplasjes së dy automjeteve, duke rezultuar fatale për Bedrije Saja, 85 vjeçe, e cila nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në vendngjarje.
Të plagosur nga përplasja mbetën Malvina Kani, drejtuesja e njërit prej mjeteve, si dhe Indrit Saja – drejtues i mjetit tjetër që udhëtonte me familjen – dhe Lindita Saja. Të dëmtuarit janë transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po marrin ndihmën mjekësore të nevojshme.
Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të aksidentit. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor për të shmangur ngjarje të tilla tragjike.