Prej orës 07:00, qytetarët shqiptarë në gjithë vendin po votojnë për të zgjedhur Kuvendin e ri. Procesi po vijon normalisht, me incidente të vogla në disa qarqe. Votimi do të zgjasë deri në orën 19:00. Pas kësaj ore, do të mundet të votojnë vetëm ata që janë në radhë pranë qendrës së votimit.

Deri në orën 16:00, KQZ raporton se pjesëmarrja në votim ishte 36.14%. Kanë raportuar 959 nga 5225 qendra votimi në total. Krahasuar me vitin 2021 kemi një pjesëmarrje gati 5% më të ulët, ku 4 vite më parë deri në orën 16:00 ka qenë afro 41%.

Ka shkuar në 5 numri i personave të arrestuar për fotografim të votës. Pas rastit të parë të një 56-vjeçare në Elbasan Majlinda Cani, dhe më pas një gruaje tjetër po 56-vjeçe Alketa Hasani, policia njofton se ka arrestuar edhe 3 persona të tjerë në Tiranë.

Të drejtën e votës të dielën e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori: Zgjedhësit që jetojnë brenda vendit; Zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit. 245 935 shqiptarë në diasporë u regjistruan për të votuar.

Në rang vendi, vetëm në njësinë nr. 10 dhe në bashkinë Vorë, votimi bëhet në mënyrë elektronike. 114,642 zgjedhës votojnë për herë të parë. 1,081 personave ju është hequr e drejta e votës, për shkak të dekriminalizimit, që nuk lejon të votojnë persona që kanë kryer një sërë krimesh të rënda.

Në fletën e votimit, shqiptarët gjejnë kësaj radhe 11 subjekte politike, ku 3 janë koalicione, dhe 9 janë parti që garojnë të vetme. Secili subjekt zgjedhor ka në garë 186 emra të shpërndarë sipas qarqeve. 2046 persona janë kandidatë për parlamentin e ardhshëm, për të zënë 140 karrige Kuvendore. Kësaj radhe, në asnjë qark të vendit, nuk konkurron asnjë kandidat i pavarur.

Kandidatët janë në dy grupe: lista e mbyllur, të cilët janë të privilegjuar dhe do të fitojnë të parët mandat sipas radhës që ka përcaktuar partia, dhe lista e hapur,.

Kryesocialsiti Edi Rama kërkon mandatin e katërt nën udhëheqjen e PS, ndërsa PD me aleatët, të udhëhequr nga Sali Berisha nën koalicionin “Shqipëria Madhështore” kërkojnë të rikthehen në pushtet pas 12 vitesh në opozitë. Në garë janë edhe 9 subjekte të tjera, Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, ⁠Koalicioni euroatlantik i Lulzim Bashës, ⁠PSD e Tom Doshit, Shqipëria Bëhet, Lapaj-Shabani, ⁠AKSH, Elena Kocaqi, ADR, Edmond Stojku, Partia Atdheu, ⁠Mundësia – Agron Shehaj, Koalicioni “Djathtas për Zhvillim”- Shehi-Alibeaj./shqiptarja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu