
Tiranë, 30 prill 2025 – Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në një takim me të rinjtë që kanë përfunduar me sukses Programin e Kodimit, një nga nismat më ambicioze të qeverisë në kuadër të projektit “Shqipëria Digjitale”. Në qendër të diskutimit ishin rezultatet e deritanishme të programit, ndikimi që ka pasur në zhvillimin profesional të të rinjve dhe planet për zgjerimin e mëtejshëm të infrastrukturës digjitale në vend.
“Falë jush, kemi një arsye më shumë për të qenë të inkurajuar. Shqipëria digjitale po merr formë dhe programet si ky janë prova se transformimi është i mundur,” u shpreh Rama në fjalën e tij.
Ai theksoi se mbi 7 mijë të rinj kanë aplikuar përmes portalit e-Albania për të ndjekur kurset intensive të kodimit, të cilat janë mbështetur financiarisht nga qeveria. “Kemi përfunduar laboratorët inteligjentë në 340 shkolla dhe plani është që të shkojmë në 1,000, duke mbuluar çdo shkollë në vend,” tha Kryeministri.
Në vijim, Rama prezantoi investimet në infrastrukturën digjitale, përfshirë Qendrën “Tumo” jashtë Tiranës, Piramidën e rikualifikuar si hapësirë teknologjike, si dhe projektin e ri “École 42” që do të hapet në Tiranë gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian, në bashkëpunim me Presidentin e Francës.
“Shumë të rinj në Shqipëri punojnë për kompani ndërkombëtare pa lëvizur nga shtëpia. Me një kompjuter të vetëm, mbajnë familjen dhe ndërkohë s’kanë mbaruar ende universitetin. Ky është realiteti i ri,” tha Rama, duke vlerësuar edhe rikthimin e të rinjve nga jashtë për të kontribuar në vend.
Në fund, ai u bëri thirrje të gjithë të rinjve që të mos hezitojnë të aplikojnë: “Ky është një rrugëtim që nuk njeh moshë apo barriera. Teknologjia u jep të gjithëve një mundësi të dytë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.”