
Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e të dënuarit Fran Marashi, i cili kërkoi të dilte nga regjimi i ashpër 41-bis, ku mbahet i izoluar prej 13 dhjetorit 2024, me vendim të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.
Vendimi u dha nga gjyqtari Erjon Bani, në seancën e kësaj të mërkure, në orën 10:00.
Fran Marashi u dënua nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar muajin e kaluar me burgim të përjetshëm, si person i përfshirë në masakrën e Urës Vajgurore më 17 qershor 1997, ku u vranë 4 policë dhe u plagosën 6 të tjerë.
Ngjarja e rëndë e asaj kohe u rigjykua sërish në Gjykatën e Posaçme, pas rikthimit të çështjes nga Gjykata e Lartë.
Përveç Fran Marashit, me burgim të përjetshëm janë dënuar edhe Musa Protoduari dhe Shkëlqim Protoduari, si dhe disa persona të tjerë me nga 25 vite burg./euronews