
Flamur Mane është 66 vjeçari që mbeti i plagosur në orët e para të mëngjesit nga një person që kishte shkuar të vidhte në stanin e tij.
Mane që ruante natën stanin e tij ka marrë plagë nga disa pjesë të trupit, pasi është qëlluar nga agresori gjatë përleshjes me të.
Policia e njoftuar nga i plagosuri ka arritur të identifikojë dhe ndalojë personin që kishte shkuar të vidhte dhe e ka plagosur.
Sipas policisë, autori i vjedhjes dhe plagosjes së Flamur Manes është shtetasi Dedë Dedaj 65 vjeç edhe ky banues në Pluk të Lushnjës.
Sipas atyre që kanë konfirmuar komshinjtë jashtë kamerës, disa ditë më parë, Flamur Manes i kanë vjedhur disa bagëti në stanin e tij.
Njoftimi i policisë
Lushnjë
Qëlloi me armë gjahu, pronarin e ambientit ku shkoi për të vjedhur gjatë natës, identifikohet dhe kapet 65-vjeçari.
Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit F. M., 66 vjeç, se gjatë natës, sapo një shtetas kishte hyrë për të vjedhur në kasollen në pronësi të tij, ai e kishte konstatuar dhe gjatë konfliktit me të, autori i tentativës për vjedhje e kishte qëlluar me armë gjahu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë organizuar punën për kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, u identifikua dhe u kap autori i dyshuar i rastit, shtetasi D. D., 65 vjeç.
I dëmtuari, shtetasi F. M., ka marrë asistencë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.