Mbi 1400 efektivë policie janë në terren për të siguruar mbarëvajtjen e protestës së opozitës që ka nisur në orën 17:00.
Grumbullimi i militantëve të PD në 5 pika kyçe të kryeqytetit ka shkaktuar kaos në trafik, që gjithsesi ishte i ngarkuar ditën e sotme për shkak të motit të keq me reshje intensive shiu.
Kjo situatë është shoqëruar me përplasje të drejtuesve të mjeteve me protestuesit e PD, të cilët kanë kërkuar nga këta të fundit që të lirojnë rrugën.
Partia Demokratike e Shqipërisë ka dorëzuar një kërkesë në polici për zhvillimin e tubimeve në disa akse kryesore të Tiranës më 23 dhjetor 2024, nga ora 17:00 deri në orën 20:00.
Akset e kërkuara për zhvillimin e protestës janë: “Unaza e Vogël”, “rrethrrotullimi te Zogu i Zi”, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Willson” dhe rruga nga “Pallati me Shigjeta” drejt “Rrugës së Kavajës”.
Policia e Shtetit nga ana tjetër ka deklaruar se do të garantojë të drejtën për tubim, si dhe sigurinë e pjesëmarrësve, qytetarëve dhe pronave publike e private. Megjithatë, policia njofton se tubimi duhet të zhvillohet në atë mënyrë që të mos bllokohet lëvizja e lirë e automjeteve dhe qytetarëve./euronews