Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi në një deklaratë për mediet pas shtyrjes së seancës për Ilir Metën, bëri me dije se iu është lënë 3 orë kohë për të parë provat, në lidhje me akuzat e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ndaj tyre.
Jashtë ambienteve të SPAK, Kryemadhi hodhi akuza ndaj tre prokurorëve të çështjes dhe gjyqtarit, që sipas saj, po i shërbejnë kryeministrit Edi Rama.
Kryemadhi: Sapo pashë tre muskutierët e drejtësisë së Ramës, Arben Krajën, Sotir Kllapin dhe Altin Dumanin dhe gjyqtarin Çela. Ishte eksperienca ime e parë në një sallë gjyqi, pati një mashtrim të drejtpërdrejtë nga prokurori Arben Kraja i cili tha se Ilir Meta është marrë në mënyrë normale dhe ka pranuar aktin, kur ju jeni dëshmitarë që Ilir Meta u rrëmbye nga një grup banditësh. Na lanë vetëm tre orë për të parë të gjitha provat, ndoshta gjyqtari e di që s’ka asnjë provë dhe tre orë do të jenë shumë pak. Prokuroria dhe Gjykata kanë nxjerrë sekretin hetimor. Dua të theksoj që kjo godina këtu mbrapa është departamenti i marrëdhënieve të publikut dhe mashtrimit të Edi Ramës. Sot kam kuptuar që veglat njëpërdorimëshe të Edi Ramës dhe gjithë grupit të strukturuar kriminal, që nga inceneratori i Tiranës, 5D, që nga koncensionet të cilat vjedhin çdo ditë paratë e qytetarëve shqiptarë ne sot i pamë në fytyrat e tyre të veshura me toga të zeza.
E pyetur a ishte i qetë Ilir Meta në sallë, Kryemadhi nuk pranoi të jepte detaje, por tha se të dy ndodheshin në një sallë dhe këtë veprim e quajti provokim të qëllimshëm.
Kryemadhi: Nuk flas fare për zotin Meta. Sot kanë bërë një provokim të hapur për mua dhe zotin Meta. Ata e dinë shumë mirë marrëdhënien time me zotin Meta dhe në mënyrë të qëllimshme na kanë futur në një sallë. Asnjëri nga ne nuk është i akuzuar, të gjihë jemi të dyshuar. Për të larguar vëmendjen nga Enchro, nga trafiku i drogës, kërkojnë të bëjnë show./vizionplus.tv