
Hetimet paraprake për aksidentin tragjik në autostradën Durrës–Tiranë po përforcojnë dyshimet se shkaku kryesor i ngjarjes ishte një kolaps i papritur shëndetësor i drejtuesit të autobusit.
Viktima, 36-vjeçari Redion Hasimi, drejtonte autobusin e linjës Berat–Tiranë dhe, sipas të dhënave paraprake, nuk kishte kryer më parë asnjë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Sipas grupit hetimor, pasagjerët kanë dëshmuar se shoferi kishte shprehur pak para aksidentit se nuk ndihej mirë. Më pas ai humbi kontrollin e mjetit, i cili doli në korsinë e emergjencës dhe u përplas me barrierën metalike.
Ekspertët kanë konstatuar se në vendngjarje nuk ka shenja frenimi, çka përforcon dyshimet se drejtuesi nuk ka pasur mundësi të reagojë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Po ashtu, verifikimet kanë treguar se autobusi nuk kishte defekte teknike dhe kishte kaluar kolaudimin rreth një muaj më parë.
Nga aksidenti humbi jetën drejtuesi i autobusit, ndërsa 12 pasagjerë mbetën të plagosur. Disa prej tyre vijojnë të marrin trajtim mjekësor në spital.






