Situatë kritike nga zjarret në fshatin Gojan i Madh, në Njësinë Administrative Gjegjan të Bashkisë Pukë, ku autoritetet kanë nisur evakuimin e banorëve më të ekspozuar për shkak të përhapjes së flakëve.

Përparësi në evakuim po u jepet fëmijëve, të moshuarve dhe personave me probleme shëndetësore, ndërsa operacioni po zhvillohet në koordinim mes strukturave të Mbrojtjes Civile, Policisë, zjarrfikësve dhe pushtetit vendor.

Në terren janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse dhe 19 efektivë të MZSH Pukë dhe Fushë-Arrëz, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 40 forca bashkiake dhe 30 vullnetarë.

Operacionit i janë bashkuar edhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, një automjet zjarrfikës dhe 3 helikopterë, të cilët po ndërhyjnë nga ajri për izolimin e vatrës.

Terreni i vështirë malor po e komplikon ndërhyrjen, ndërsa flakët kanë rrezikuar zonën e banuar. Sipas autoriteteve, falë ndërhyrjes së forcave nga toka dhe ajri, rreziku më i madh për banesat ka kaluar, por operacioni vijon për vënien e plotë nën kontroll të zjarrit.

AKMC po koordinon dhe monitoron situatën së bashku me Prefekturën e Shkodrës, Bashkinë Pukë, Policinë e Shtetit dhe shërbimet zjarrfikëse.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu