Një dokument i publikuar në një grup WhatsApp të quajtur “Krijimi i Kuvendit Kombëtar Qytetar” ka zbuluar platformën organizative të nismës që ka dalë nga protestat qytetare të javëve të fundit.

Sipas dokumentit, struktura e re synon të përfaqësojë vullnetin e qytetarëve dhe të mbikëqyrë institucionet shtetërore për zbatimin e kërkesave të protestuesve.

Platforma parashikon ngritjen e tre organeve kryesore: Kuvendit Kombëtar Qytetar, Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit Kombëtar Qytetar dhe Mbledhjes së Përgjithshme të Popullit Shqiptar.

Dokumenti parashikon dy modele organizimi: një Kuvend me 150 anëtarë dhe një tjetër të zgjeruar me 300 anëtarë, ku do të përfshihen edhe përfaqësues të diasporës dhe trojeve shqiptare.

Mes kritereve të anëtarësimit përmenden angazhimi qytetar, qëndrimet patriotike, mbështetja për konceptin e “Shqipërisë Etnike”, si dhe detyrimi për të respektuar vendimet e Kuvendit edhe në rast votimi kundër.

Platforma përfshin edhe objektiva politike, si kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndjekjen penale të tij dhe të ish-kryeministrit Sali Berisha, si edhe krijimin e një qeverie teknike tranzitore në rast të largimit të qeverisë aktuale.

Publikimi i dokumentit vjen në një moment kur brenda organizatorëve të protestës janë shfaqur debate mbi mënyrën e krijimit dhe përfaqësimit të këtij Kuvendi.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu