Lëvizja e motorëve në Tiranë po kthehet në një shqetësim gjithnjë e më të madh për banorët, për shkak të zhurmave të forta dhe shkeljeve të rregullave të qarkullimit. Sipas të dhënave të Policisë Rrugore, shumë drejtues lëvizin me shpejtësi mbi normat e lejuara, ndërsa një pjesë e motorëve janë modifikuar duke prodhuar zhurma që tejkalojnë kufijtë e lejuar raporton Tv Klan.

Fenomeni ndihet veçanërisht gjatë orëve të natës, kur trafiku bie, por motorët vazhdojnë të qarkullojnë, duke prishur qetësinë e mijëra banorëve të kryeqytetit.

Specialistët shpjegojnë se një nga arsyet kryesore është modifikimi i marmitave jashtë standardeve teknike, çka rrit ndjeshëm nivelin e zhurmës. Problematikë mbeten si motorët sportivë, ashtu edhe ata që përdoren për shpërndarjen e ushqimeve dhe porosive.

Policia Rrugore e Tiranës thotë se ka identifikuar zonat ku fenomeni është më i përhapur dhe se ankesat e qytetarëve janë shtuar. Edhe pse ligji ndalon modifikimin e marmitave, gjobat e vendosura më shpesh janë deri në 4 mijë lekë, ndërsa legjislacioni parashikon ndëshkime që mund të arrijnë deri në 40 mijë lekë.

Përveç ndotjes akustike, shqetësim mbeten edhe manovrat e rrezikshme të drejtuesve të motorëve, të cilat shpesh bëhen shkak për aksidente.

Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, Policia Rrugore ka ndëshkuar 228 drejtues motorësh për shkaktim zhurmash dhe 820 të tjerë për tejkalim të shpejtësisë. Sipas autoriteteve, po shqyrtohen edhe ndryshime në Kodin Rrugor, me synim uljen e ndotjes akustike dhe rritjen e sigurisë në qarkullim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu