Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te protestat e zhvilluara në Tiranë, duke deklaruar se qeveria po ndjek me vëmendje shqetësimet e qytetarëve që protestojnë për probleme reale, por duke dënuar aktet e dhunës që, sipas tij, kanë shoqëruar tubimet.

Në “Shënimet e Javës”, Rama tha se ekipi i tij po dëgjon me kujdes çdo shqetësim të ngritur nga qytetarët në protestë.

“Unë jam shumë i vëmendshëm dhe një ekip i tërë po dëgjon me shumë vëmendje gjithçka që duhet dëgjuar nga protesta e bulevardit”, u shpreh kryeministri.

Sipas Ramës, protesta përbëhet nga dy shtresa të ndryshme. Nga njëra anë, ai përmendi qytetarët që kanë dalë në mënyrë të sinqertë për të ngritur shqetësime dhe halle reale, ndërsa nga ana tjetër foli për atë që e quajti “koren e zezë”, të përbërë, sipas tij, nga individë që kanë sjellë përplasje dhe dhunë.

Kryeministri deklaroi se elementët e dhunës janë të pashmangshëm kur, sipas tij, protesta drejtohet nga Sali Berisha.

“Kur shkon pas Berishës, në fund të del përpara muri”, u shpreh Rama.

Deklaratat e kryeministrit vijnë pas disa ditësh protestash në kryeqytet, të shoqëruara me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu