
Një konflikt për pronën mes dy vëllezërve në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë rrezikoi të përshkallëzohej në një ngjarje të rëndë kriminale. Policia ndërhyri pas njoftimit për konfliktin dhe arrestoi një 47-vjeçar, i cili dyshohet se kërcënoi me armë zjarri vëllanë e tij.
Operacioni i koduar “Lidhja” u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, të cilat mbërritën në banesën ku po ndodhte konflikti.
Sipas Policisë, në pranga u vu J. T., 47 vjeç, person me precedent të mëparshëm kriminal për trafikim të lëndëve narkotike.
Nga veprimet e kryera rezultoi se konflikti mes dy vëllezërve dyshohet se kishte nisur për motive pronësie. Gjatë përplasjes, 47-vjeçari dyshohet se ka kanosur të vëllanë me armë zjarri.
Policia sekuestroi një pistoletë, dy krehra dhe 30 fishekë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.






