Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbutur dënimin për ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, në dosjen e inceneratorit të Tiranës.

Apeli e shpalli të pafajshëm Bllakon për episodin që lidhej me përfitimin e parregullt të 7.5 milionë lekëve për Vladimir Bezhanin, duke arsyetuar se “fakti nuk përbën vepër penale”.

Ndërkohë, gjykata la në fuqi akuzën për episodin tjetër të korrupsionit, që lidhet me përfitimin e 119 mijë eurove nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët e inceneratorëve.

Për pasojë, dënimi i Bllakos u ul nga 4 vite në 3 vite burg, ndërsa me gjykim të shkurtuar ai dënohet përfundimisht me 2 vite burgim.

Sipas vendimit të Apelit të GJKKO-së, pjesa e mbetur e dënimit do të pezullohet dhe do të kryhet me shërbim prove, pasi Bllako ka shlyer pjesën më të madhe të dënimit në paraburgim.

Gjykata vendosi gjithashtu që ish-zyrtari të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës në Tiranë dhe të mos shoqërohet me persona të dënuar.

Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu