Pas pesë ditësh protesta të pandërprera kundër projektit në Zvërnec, organizatorët deklaruan se lëvizja do të vijojë deri në përmbushjen e kërkesave që i cilësuan si të panegociueshme.

Gjatë tubimit para Kryeministrisë, një nga përfaqësuesit e protestuesve tha se lëvizja përfaqësohet nga një grup koordinues qytetarësh dhe patriotësh, ndërsa hodhi poshtë akuzat për ndikime politike apo organizim nga parti të caktuara.

“Pas pesë ditësh protesta të pandërprera, nuk do të ndalemi deri në përmbushjen e kërkesave tona të panegociueshme. Kjo lëvizje mbarëkombëtare përfaqësohet nga një grup koordinues patriotësh me integritet dhe vlera të larta intelektuale e shoqërore”, u deklarua nga foltorja e protestës.

Sipas organizatorëve, protesta po zhvillohet si reagim ndaj asaj që ata e konsiderojnë cenim të interesit kombëtar, sigurisë kombëtare dhe pasurive natyrore të vendit.

Për të larguar çdo dyshim mbi karakterin e lëvizjes, protestuesit theksuan se protesta organizohet dhe drejtohet nga qytetarë të lirë dhe nuk kontrollohet nga forca politike.

Gjatë fjalës së mbajtur para protestuesve u shpallën edhe pesë kërkesat kryesore të lëvizjes:

  • Dorëheqja e kryeministrit Edi Rama;
  • Rënia e qeverisë aktuale;
  • Shfuqizimi i Paketës së Maleve;
  • Anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
  • Anulimi i ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare.

Organizatorët paralajmëruan se protestat do të vijojnë deri në realizimin e këtyre kërkesave.

Paralelisht me protestën në Tiranë, tubime janë zhvilluar edhe në Durrës dhe Vlorë, ndërsa gjatë paradites është mbajtur një tubim paqësor edhe në Prishtinë në mbështetje të mbrojtjes së zonave të mbrojtura në Shqipëri.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu