
Kreut i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla reagoi ndaj akuzave të deputetes së opozitës Ina Zhupa lidhur me një poster proteste në gjuhën greke që ishte shpërndarë në rrjetet sociale, për të cilën demokratja tha se është i sajuar nga vetë ai.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se posteri ishte publikuar fillimisht nga një faqe në gjuhën greke dhe se ai vetëm e kishte shpërndarë, ndërsa e akuzoi deputeten demokrate për gënjeshtër.
“Duhet të kërkosh falje se the që e kam bërë unë këtë. Unë ta publikova që është publikuar dje nga një faqe greqisht. Dole këtu dhe the që e kam prodhuar unë me AI. E kam marrë në këtë faqe dhe jam i gatshëm të përballem me ty edhe në gjykatë”, deklaroi Balla.
Deputeti socialist tha se materiali kishte qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale, përfshirë TikTok, Facebook dhe Instagram, madje sipas tij ishte promovuar edhe përmes reklamave të sponsorizuara.
“Ti je një gënjeshtare. Po ta them prapë. Të sfidoj, shkojmë në gjykatë”, u shpreh ai.
Më tej, Balla iu referua protestave kundër projektit në Zvërnec dhe deklaratat e Partisë Demokratike lidhur me këtë zhvillim. Sipas tij, vetë protestuesit kanë deklaruar se protesta nuk ka karakter politik dhe se opozita po përpiqet ta përvetësojë atë.
“Problemi është që ata protestuesit të paktën thonë që ne nuk kemi një protestë politike. Ju ç’dreqin keni lënë? Ç’punë keni ju aty? Ku hyni ju këtu? Lërini të protestojnë çunat e gocat. u e keni parë veten kur dilni në protestë. 40 veta bashkë me rojet jeni aty.”, tha Balla.



