
Një fjalim i Pep Guardiolës në dhomat e zhveshjes ka zbuluar anën më personale të trajnerit të famshëm, teksa përpiqej të motivonte futbollistët e Manchester Cityt duke u rrëfyer për divorcin dhe sakrificat që kishte bërë për skuadrën.
Pamjet janë bërë publike në dokumentarin e Prime Video, “Beautiful Obsession”, i cili ndjek Guardiolën gjatë dy viteve të tij të fundit në drejtimin e Manchester Cityt. Dokumentari tregon presionin e jashtëzakonshëm të futbollit, por edhe krizën personale të trajnerit pas ndarjes nga bashkëshortja, Cristina Serra.
Momenti më emocional vjen pas humbjes 2-0 ndaj Bayer Leverkusen në Champions League. Përballë lojtarëve, Guardiola e përdor martesën e tij si shembull për të shpjeguar rëndësinë e pasionit.
“Jam divorcuar nga gruaja më e bukur në planet. Është ish-gruaja ime dhe e dua jashtëzakonisht shumë. Por humbëm pasionin”, u thotë ai futbollistëve.
Guardiola vijon duke e lidhur drejtpërdrejt historinë personale me atë që kërkonte nga skuadra: “Kështu është edhe futbolli. Luani për shkak të diçkaje që keni brenda, por ku është pasioni? Çfarëdo që të bëni në jetë, bëjeni me pasion. Nuk dua lojtarë të mirë, dua lojtarë me pasion”.
Më pas toni i trajnerit bëhet edhe më i ashpër. Ai u kujton lojtarëve se familja e tij ndodhej larg dhe se kishte sakrifikuar pjesën më të madhe të jetës për Manchester Cityn.
“Unë jap jetën time, divorcin tim, familjen time që është larg, gjithçka për ju. Dhe çfarë më jepni në këmbim? Një paraqitje të tmerrshme”, u thotë Guardiola, duke paralajmëruar madje se skuadra mund të kishte së shpejti një trajner tjetër.
Guardiola dhe Cristina Serra, të cilët kanë tre fëmijë, kaluan pjesën më të madhe të viteve të fundit mes Anglisë dhe Spanjës. Sipas raportimeve, vendimi i trajnerit për të vazhduar kontratën me Cityn ndikoi në krizën e çiftit, ndërsa Serra jetonte kryesisht në Barcelonë.
Pas largimit nga futbolli i përditshëm, Guardiola raportohet se po përpiqet t’i kushtojë më shumë kohë jetës private dhe familjes.
Dokumentari sjell kështu një portret të pazakontë të një prej trajnerëve më të suksesshëm të historisë: pas trofeve dhe obsesionit për futbollin, Guardiola zbulon edhe çmimin personal që thotë se ka paguar për karrierën.






