Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi në Samitin e NATO-s në Ankara se administrata e tij po shqyrton mundësinë e shitjes së avionëve luftarakë F-35 Turqisë, pavarësisht ndalimit të vendosur më herët nga Kongresi amerikan.

Gjatë takimit dypalësh me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, Trump tha se do të marrë së shpejti një vendim për këtë çështje. Ai bëri të ditur gjithashtu se planifikon të heqë sanksionet e vendosura ndaj Turqisë pas blerjes së sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.

Nga ana e tij, Erdoğan u shpreh optimist se Ankaraja do të arrijë një marrëveshje me Uashingtonin për blerjen e avionëve F-35 dhe motorëve amerikanë për avionin luftarak turk KAAN.

Në deklaratat para gazetarëve, Trump përsëriti gjithashtu se do të dëshironte që Groenlanda të ishte nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, duke argumentuar se ishulli ka rëndësi strategjike për sigurinë amerikane. Megjithatë, ai pranoi se një qëndrim i tillë mund të dëmtojë marrëdhëniet e SHBA-së me aleatët e NATO-s.

Lidhur me luftën në Ukrainë, presidenti amerikan tha se beson se ekzistojnë mundësi për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës. Ai bëri të ditur se ka zhvilluar biseda telefonike me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, njoftoi se në samitin e Ankarasë po firmosen marrëveshje në fushën e mbrojtjes me vlerë miliarda dollarë. Mes tyre janë investime prej 40 miliardë dollarësh në kapacitetet kundër dronëve dhe blerja e avionëve të rinj të mbikëqyrjes ajrore për Aleancën.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu