
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Ankara, ku po zhvillohet Samiti i NATO-s, dhe ka marrë pjesë në pritjen dhe darkën zyrtare të organizuar nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe Zonja e Parë, Emine Erdoğan.
Ceremonia u organizua në nder të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Aleancës, si edhe bashkëshortëve të tyre, duke shënuar një nga aktivitetet protokollare më të rëndësishme të samitit.
Samiti i NATO-s në Ankara mbledh liderët e 32 vendeve anëtare të Aleancës, të cilët do të diskutojnë çështje që lidhen me sigurinë euroatlantike, forcimin e mbrojtjes kolektive, rritjen e investimeve në mbrojtje dhe mbështetjen për Ukrainën.
Gjatë qëndrimit në Turqi, pritet që Rama të marrë pjesë në seancat plenare të samitit, si edhe në aktivitetet dhe takimet e planifikuara në kuadër të axhendës zyrtare.






