
Ambientalisti Sazan Guri ka mbajtur një fjalim gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku bëri thirrje për vijimin e protestave dhe përshkallëzimin e tyre me mjete paqësore.
Gjatë fjalës së tij, Guri u shpreh se qeveria aktuale do të largohet, duke theksuar se suksesi i protestës varet nga qëndrueshmëria e qytetarëve.
“Ky vend që ka mbërritur në këtë ditë, ku përballë nesh ndodhet vetëm një anije, do ikë ose ky që as në emër nuk e meriton t’i thërrasësh ose ne. Nuk ka qeveri që nuk rrëzohet, por ka qytetarë që tërhiqen. Nuk ka kauza që nuk fitohen, por ka qytetarë që e lënë kauzën përgjysmë”, deklaroi ai.
Sipas Gurit, protesta nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e mjedisit, por edhe me çështje që ai i konsideron si cenim të pronës dhe interesit publik.
“Mos vallë ne dalim për të mbrojtur vetëm flamingot? Më tepër se kaq. Ky kryeministër ka zhbërë pronat e ligjshme dhe me ligjin për investimet strategjike ka vendosur të vjedhë këtë popull”, u shpreh ai.
Në fund të fjalës së tij, Guri propozoi atë që e cilësoi si fazën e tretë të protestës.
“Këtë kryeministër e kemi rrethuar demokratikisht dhe moralisht. Rrethimi i tretë për mua është rrethimi fizik. Të rrethohet Parlamenti dhe Kryeministria që ata të mos marrin vendime për kauzat tona”, deklaroi ambientalisti.






