
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Malishevë, ku tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka përfshirë një banesë në lagjen “Mirëdita”.
Sipas Policisë së Kosovës, zjarri është raportuar rreth orës 12:55, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, konfirmoi se në banesë janë gjetur tre viktima.
Bëhet fjalë për tre persona të gjinisë mashkullore, një i rritur dhe dy fëmijë, të cilët u transportuan në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, por u konstatuan pa shenja jete.
Zjarri është lokalizuar pa shkaktuar dëme të tjera, ndërsa për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit. Hetimet vijojnë për të zbardhur shkaqet e kësaj tragjedie.



