Komisioni i Ligjeve miratoi në parim projektligjin për reformën e re administrativo-territoriale, që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Drafti mori 8 vota pro dhe 5 kundër, ndërsa pas votimit mbledhja u ndërpre për 30 minuta.

Votimi erdhi pas disa orësh debatesh mes mazhorancës dhe opozitës. Përfaqësuesit e opozitës kundërshtuan mënyrën se si është zhvilluar procesi dhe ngritën pretendimin se propozimet e tyre nuk janë marrë në konsideratë.

Përplasje pati edhe në Komisionin e Ligjeve, ku kreu i tij, Ulsi Manja, mbrojti draftin e mazhorancës dhe argumentoi se ai respekton frymën kushtetuese. Manja deklaroi gjithashtu se pas ndryshimit të hartës do të vijojë puna me një paketë tjetër ligjore që lidhet me funksionet, autonominë dhe kompetencat e bashkive.

Debati u shoqërua me replika të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa kjo e fundit kërkoi ndërprerjen e procesit dhe më shumë konsultim përpara se harta e re të kalojë për votim.

Por kundërshtimet për hartën e re u shfaqën edhe brenda vetë Partisë Socialiste. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, Erion Braçe dhe Vullnet Sina shprehën hapur rezerva ndaj reduktimit të numrit të bashkive, duke ngritur shqetësimin se kjo mund të ndikojë në efikasitetin e shërbimeve për qytetarët.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, bëri të qartë se vendimi politik i grupit është që të gjithë deputetët e PS-së të jenë të pranishëm dhe të votojnë pro projektligjit kur ai të mbërrijë në seancë plenare. I pyetur nëse do të ketë penalitete për ata që mund të dalin nga rreshti, Balla u përgjigj: “Lexoni rregulloren e grupit parlamentar”.

Debati politik u shoqërua edhe me protestë jashtë Kuvendit. Banorë nga Fushë-Arrëzi, Memaliaj, Poliçani dhe bashki të tjera të prekura nga ndryshimet kërkuan që njësitë e tyre vendore të mos shkrihen. “Memaliaj nuk preket” dhe “Poliçani nuk shitet me një votë” ishin disa prej mesazheve të protestuesve.

Sipas tyre, reduktimi i numrit të bashkive do t’i largojë shërbimet vendore nga komunitetet dhe do të cenojë identitetin e zonave të tyre.

Me miratimin në parim në Komisionin e Ligjeve, beteja për hartën e re territoriale kalon në fazën tjetër të shqyrtimit parlamentar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu