
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka akuzuar opozitën dhe ish-kryeministrin Sali Berisha se po përdorin zhvillimet në Kosovë për të sulmuar institucionet demokratike në Shqipëri.
Duke folur në seancën e sotme në Parlament, Balla u ndal te zhvillimet në Kosovë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve, duke deklaruar se kjo situatë nuk është e re.
“Nuk është asnjëherë rastësi, që nga Rambujeja e deri më sot, sa herë Kosova ka halle dhe nevojë për Shqipërinë, Saliu thërret sulm kundër institucioneve demokratike të Shqipërisë”, deklaroi Balla.
Ai i bëri thirrje opozitës që të mos përsërisë skenarët e vitit 2019, kur Partia Demokratike braktisi Kuvendin dhe zgjedhjet, duke paralajmëruar se vendime të tilla dëmtojnë funksionimin demokratik të vendit.
Balla u shpreh gjithashtu se në një moment kur Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë, politika shqiptare duhet të flasë me një zë të përbashkët.
“Mos harroni që sot më shumë se kurrë Kosova ka nevojë për mbështetje nga Shqipëria, ka nevojë për një zë të përbashkët”, tha ai.
Në fjalën e tij, kreu i grupit parlamentar socialist foli edhe për reformën administrative-territoriale, reformën zgjedhore dhe procesin e integrimit europian, duke kërkuar nga opozita bashkëpunim për përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Balla deklaroi se Komisioni i Reformës Zgjedhore ka afat deri në fund të nëntorit dhe theksoi se reforma duhet të bëhet me pjesëmarrjen e opozitës, por pa lejuar bllokimin e procesit të integrimit.






