Dy telefonata për raste dhune në familje kanë çuar policinë në zbulimin e armëve dhe lëndëve plasëse në dy banesa në Lezhë dhe Kurbin. Pesë kallëpë tritoli, një pushkë, një automatik me fishek në fole dhe municion luftarak janë sekuestruar, ndërsa dy persona kanë përfunduar në pranga.

Rasti i parë është regjistruar në Lezhë, ku policia arrestoi M. P., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së vëllait.

Gjatë kontrollit në banesën e 33-vjeçarit, efektivët gjetën pesë kallëpë tritoli, një armë zjarri tip pushkë dhe municion luftarak.

Ndërhyrja tjetër u krye në Kurbin. Në pranga përfundoi G. K., 48 vjeç, banues në Mamurras, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij.

Kontrolli i banesës zbuloi një automatik të fshehur, i cili sipas policisë kishte një fishek në fole, si dhe municion tjetër luftarak.

Të gjitha armët, municionet dhe lënda plasëse u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu