SPAK ka refuzuar kërkesën që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, të merrte pjesë në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, të planifikuar për në orën 15:00.

Këshilli Bashkiak kishte kërkuar që Veliaj të lejohej të ishte fizikisht i pranishëm në mbledhje ose, nëse kjo nuk ishte e mundur, të merrte pjesë përmes videokonferencës. Kërkesa i ishte drejtuar SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

SPAK ka dhënë përgjigje negative, duke u mbështetur në dispozitat e ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

Këshilli Bashkiak kishte argumentuar se pjesëmarrja e Veliajt ishte e rëndësishme për çështjet që lidhen me administrimin e Bashkisë së Tiranës. Në rendin e ditës është përfshirë edhe diskutimi mbi projektligjin për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore.

Në kërkesë ishte sjellë si argument edhe vendimi nr. 66, i 3 nëntorit 2025, i Gjykatës Kushtetuese, me pretendimin se pjesëmarrja e kryetarit në mbledhjet e Këshillit lidhet me ushtrimin e funksioneve të tij institucionale.

Megjithatë, SPAK nuk e ka pranuar kërkesën dhe Veliaj nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e sotme as fizikisht dhe as nëpërmjet lidhjes me videokonferencë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu