
Shqipëria i jep sot lamtumirën ish-kryetarit të Kuvendit dhe një prej figurave historike të së majtës shqiptare, Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare.
Ceremonia e homazheve do të zhvillohet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Sipas programit zyrtar, në orën 09:00 arkëmorti do të mbërrijë në Sheshin “Skënderbej” dhe më pas do të vendoset në hollin e TKOB, ku qytetarë, politikanë, miq dhe bashkëpunëtorë do të kenë mundësi të bëjnë homazhe.
Ceremonia zyrtare e lamtumirës pritet të mbahet në orën 12:30, ndërsa më pas Servet Pëllumbi do të përcillet për në banesën e fundit në varrezat e Sharrës.
Reagimet
Kryeministri Edi Rama reagoi për ndarjen nga jeta të Servet Pëllumbit me një postim të shkurtër dhe simbolik në rrjetet sociale, ku publikoi fotografinë historike të vitit 1996 dhe shkroi: “Lamtumirë Profesor i dashur”.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e cilësoi Pëllumbin “Profesorin tonë të madh”, duke theksuar rolin e tij në drejtimin e Partisë Socialiste në kohë të vështira dhe kontributin në drejtimin e Kuvendit:
“Sa shumë do donim të të kishim në ditëlindjen e 35-të të Partisë sonë Socialiste…”
Ndërsa deputeti Erion Braçe shkroi se Servet Pëllumbi ishte “udhëheqësi që mbajti të bashkuar socialistët në periudhën më të vështirë”, duke e quajtur humbjen e tij një humbje për të gjithë të majtët shqiptarë.
Kush ishte Servet Pëllumbi
I njohur ndryshe si “Profesori” i socialistëve, Pëllumbi ishte një nga figurat më të rëndësishme të tranzicionit politik shqiptar. Ai drejtoi Partinë Socialiste në një nga periudhat më të vështira, kur Fatos Nano ndodhej në burg, dhe më pas mbajti postin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë në vitet 2002-2005.
Përveç angazhimit politik, Servet Pëllumbi la pas edhe një kontribut të gjerë akademik e intelektual, me dhjetëra libra dhe analiza mbi filozofinë, etikën, sociologjinë dhe tranzicionin shqiptar.
Ai do të kujtohet si një prej zërave më të moderuar dhe intelektualë të politikës shqiptare pas viteve ’90.



