
Një shofer i transportit të pasagjerëve është ndaluar nga policia në aksin Belsh–Gjolene, pasi rezultoi se drejtonte mjetin në gjendje të dehur, ndërsa në bord kishte nxënës të një gjimnazi.
Ngjarja është regjistruar më 5 maj 2026, pas një telefonate nga një qytetar në sallën operative të Cërrikut, i cili denoncoi se drejtuesi i një furgoni tip “Benz Sprinter”, që transportonte nxënës të gjimnazit “Sami Frashëri”, po lëvizte nën ndikimin e alkoolit.
Menjëherë pas njoftimit, policia e Postës Belsh, në bashkëpunim me patrullën e Komisariatit Cërrik, bëri të mundur ndalimin e mjetit me targa AA198FR.
Gjatë kontrollit rezultoi se drejtuesi, shtetasi Sazan Jashar Gjolena, 54 vjeç, banues në Gjolene, drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Testi i alkoolit dha rezultat 0.68 mg/l në provën e parë dhe 0.67 mg/l në të dytën.
Në momentin e ndalimit, në mjet ndodheshin 13 nxënës, të cilët fatmirësisht nuk pësuan asnjë dëmtim. Policia mori masa të menjëhershme për transportimin e tyre me një mjet tjetër të transportit publik.
Shoferi u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan për veprime të mëtejshme procedurale.



