Gjuha shqipe është rikthyer në tabelën e pikës kufitare të Tabanocit në Maqedoninë e Veriut, pas reagimeve që shkaktoi heqja e saj disa ditë më parë. Megjithatë, tabela e re është vendosur me një gabim të dukshëm gjuhësor.

Në versionin shqip është shkruar “Republikën e Maqedonisë së Veriut”, në vend të formës së saktë “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Sipas raportimit të TV Shenja, tabela e mëparshme mbante formulimin “Mirësevini në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa në variantin e ri është lënë vetëm emri i shtetit.

Çështja kishte shkaktuar reagime pasi në një tabelë të ndryshuar së fundmi në Tabanoc, mbishkrimet ishin në tri gjuhë, por shqipja mungonte.

Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” ka deklaruar se nuk kishte dhënë urdhër për ndryshimin e tabelës, duke ia atribuar përgjegjësinë Ndërmarrjes Publike për Mirëmbajtjen dhe Mbrojtjen e Rrugëve Magjistrale dhe Rajonale, e cila është përgjegjëse për sinjalistikën rrugore.

Një situatë e ngjashme është regjistruar më herët edhe në pikën kufitare të Bllacës, ku shqipja u rikthye në tabelë pas reagimeve publike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu