Drafti i Partisë Socialiste për reformën e re administrativo-territoriale po përballet me kundërshtime në disa bashki të vendit, ku kryebashkiakë, drejtues vendorë dhe banorë kanë dalë hapur kundër propozimit për shkrirjen e njësive të tyre.

Kryebashkiaku socialist i Libohovës, Leonard Hide, i bëri thirrje deputetëve të qarkut të Gjirokastrës të mos e votojnë projektligjin në Kuvend. Ai deklaroi se nuk do të marrë pjesë në asnjë proces që, sipas tij, cenon interesat e qytetarëve dhe kërkoi ruajtjen e statusit të Libohovës si bashki.

Edhe kryebashkiaku i Memaliajt, Albert Malaj, kundërshtoi draftin, duke ftuar qytetarët në protestë. Sipas tij, propozimi rrezikon identitetin, zhvillimin ekonomik dhe përfaqësimin e zonës, ndërsa akuzoi autorët e reformës për mungesë transparence dhe konsultimi me komunitetin.

Reagime pati edhe në Klos, ku punonjësit e administratës vendore bojkotuan punën dhe iu bashkuan protestës kundër bashkimit të bashkisë me Matin.

Kundërshtime janë shprehur edhe nga banorët e Maliqit, të cilët kundërshtojnë bashkimin me Bashkinë e Korçës. Ata argumentojnë se largimi i shërbimeve administrative do ta bëjë më të vështirë jetën e qytetarëve dhe do të ndikojë negativisht në zhvillimin e zonës.

Në të njëjtën linjë janë shprehur edhe banorët e Selenicës, të cilët kundërshtojnë propozimin për bashkimin me Bashkinë e Vlorës. Sipas tyre, reforma do ta largojë administratën nga qytetarët dhe do të zbehë mundësitë për zhvillimin ekonomik të zonës.

Reagimet vijnë një ditë pas protestave në Poliçan, ku banorë dhe anëtarë të Partisë Socialiste dolën kundër propozimit për bashkimin e bashkisë me Beratin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu