
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga protesta e zhvilluar në Tiranë, duke akuzuar një grup protestuesish se kanë dhunuar një drejtues automjeti vetëm sepse nuk i është bashkuar marshimit me borinë e makinës.
Sipas Ramës, ngjarja tregon se protesta po largohet nga fryma qytetare dhe po shfaq shenja të ekstremizmit dhe intolerancës ndaj mendimit ndryshe.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, kreu i qeverisë e cilësoi incidentin si një shfaqje të “frymës fashiste” që, sipas tij, po dominon një pjesë të protestës dhe po materializohet në sjellje agresive ndaj qytetarëve.
“Frymën fashiste të një numri të madh bullistash online, e cila është fryma dominuese e protestës, që materializohet edhe në turmën bullizuese të marshuesve nëpër rrugë. Në video janë pikërisht këta të fundit, që kanë rrahur mbrëmë drejtues automjetesh pse nuk i binin borisë, sipas urdhërit të këtij grupi çakejsh me dy këmbë”, shkruan Rama.
Deklarata vjen në një moment kur protestat kundër projektit turistik në Zvërnec dhe kundër qeverisë kanë hyrë në javën e tretë, ndërsa përplasjet politike mes mazhorancës dhe organizatorëve të protestës janë intensifikuar.
Publikimi i videos pritet të shtojë debatet mbi zhvillimet e fundit në terren dhe natyrën e protestave që po mbahen në kryeqytet.






