Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për qarkullimin e produkteve narkotike të maskuara si karamele dhe ëmbëlsira, të cilat mund të konsumohen aksidentalisht nga nxënësit në shkolla.

Në një shkresë zyrtare drejtuar Ministrisë së Arsimit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, bën me dije se janë identifikuar produkte të njohura si “Edibles”, të përpunuara me THC, përbërësi kryesor psikoaktiv i kanabisit.

Sipas Policisë, substanca narkotike ekstraktohet nga kanabisi dhe më pas përpunohet në formën e xhelatinave dhe karameleve, duke i bërë ato pothuajse të padallueshme nga produktet e zakonshme ushqimore që konsumohen nga fëmijët dhe adoleshentët.

Autoritetet paralajmërojnë se përqendrimi i lartë i THC-së mund të shkaktojë efekte të rënda shëndetësore, përfshirë çrregullime neurologjike, reaksione të forta psikoaktive dhe raste të intoksikimit akut, veçanërisht tek të miturit.

Për këtë arsye, Policia i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit të ndërmarrë masa sensibilizuese në shkolla, duke informuar stafet mësimore, nxënësit dhe prindërit për rreziqet që paraqesin këto produkte.

Institucionet ligjzbatuese e konsiderojnë fenomenin një kërcënim serioz për shëndetin publik dhe kërkojnë vigjilencë të shtuar për të parandaluar përhapjen e tij në mjediset shkollore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu